Firefox-i e bllokon fingerprinting
Ç’është fingerprinting?
Fingerprinting është një lloj gjurmimi internetor që është më i rëndë se gjurmimi i zakonshëm me bazë cookie-t. Një fingerprint dixhital krijohet kur një shoqëri ndërton një profil unik për ju, bazuar në hardware-in e kompjuterit tuaj, software-in, shtesat dhe madje edhe parapëlqimet. Rregullimet tuaja, bie fjala, ekrani që përdorni, shkronjat e instaluara në kompjuterin tuaj dhe madje zgjedhja juaj e një shfletuesi, të tëra mund të përdoren për të krijuar një fingerprint.
Nëse keni një kompjuter portativ, PC ose telefon të mençur nga ata të rëndomtët, mund të jetë e zorshme të identifikohet në mënyrë unike pajisja juaj përmes fingerprinting. Por, sa më tepër shtesa, shkronja dhe rregullime unike të keni, aq më i lehtë do të jetë profilizimi juaj. Shoqëritë mund ta përdorin këtë ndërthurje unike informacionesh për të krijuar fingerprint-in tuaj. Kjo është arsyeja pse Firefox-i bllokon teknika të njohura fingerprinting, që kështu të mundeni të përdorni zgjerimet tuaja të parapëlqyera, temat dhe përshtatjet, pa u ndjekur nga reklama.
Fingerprinting është i dëmshëm për web-in
Praktika e fingerprinting lejon që të ndiqeni për muaj të tërë, edhe kur pastroni depozitën e shfletuesit tuaj, ose përdorni mënyrë shfletimi privat — duke mos marrë parasysh dëshmi të qarta prej jush se nuk dëshironi të gjurmoheni. Përkundër një pajtimi thuajse të plotë mes entesh standardesh dhe tregtuesish shfletuesish se fingerprinting është i dëmshëm, përdorimi i tij në web është shtuar pa u ndalur përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Firefox-i e bllokon fingerprinting
Shfletuesi më i ri Firefox ju mbron kundër profilizimit duke bllokuar kërkesa palësh të treta nga shoqëri që dihen se marrin pjesë në profilizime. Kemi punuar shumë për të aktivizuar këtë mbrojtje privatësie, teksa nuk dëmtohet funksionimi i sajteve që ju pëlqen të vizitoni. (Lexoni më tepër, nëse dëshironi hollësi teknike.)
Dhe nuk është ndonjë rregullim i zhytur thellë, për të cilin duhet të rrëmoni. Në shfletuesin më të ri Firefox, bllokimi i profilizimit është standard, rregullim parazgjedhje. Vizitoni pultin tuaj të mbrojtjeve të privatësisë, që të shihni se si gjurmoheni prapa krahëve dhe se si e pengon këtë Firefox-i.
Gjasat janë që s’do t’ju vinte mirë që dikush t’ju gjurmonte në jetën reale. S’ka arsye pse kjo të pranohet në internet. Nëse s’keni tashmë Firefox, shkarkojeni dhe mbroni veten nga profilizimi dixhital.